RRETH NESH

KH Vellaznimi - Meshkujt

Klubi i Hendbollit Vëllaznimi u themelua me 14 qershor 1955.  Nismëtarë të parë të themelimit të Klubit të hendbollit “Vëllaznimi”, meshkujt, janë: profesor Ismail Berisha, Danjoll Grezda, Bedri e Masar Kabashi, Nesim Vala dhe të tjerë”.  Klubi gjakovar gjatë jubileut të artë 9 (nëntë) herë u stolis me titull kampioni të vendit tonë dhe 3 herë rrëmbeu trofeun më të çmueshëm, Kupën e Kosovës, si dhe 15 vjet me ndërprerje bëri gara në ligat e ndryshme të ish – Jugosllavisë. Po ashtu, brez pas brezi, nga ekipi i “Vëllaznimit” dolën e po dalin emra të shquar të nënqiellit hendbollistik Kosovar. Prof. Ismail Berisha, është njëri ndër nismëtarët e hendbollit gjakovar dhe trajner i të gjitha gjeneratave të “Vëllaznimit”.

KH Vellaznimi - Femrat

Ekipi i parë i femrave në Gjakovë është themeluar më 15.03.1956. Ky ekip me emrin Shkolla Normale Amvise – Gjakovë, ka vepruar vetëm një vit e pastaj i është bashkangjitur shoqërisë për edukim trupor Partizan – Gjakovë. Në vitin 57-të të dy ekipet (meshkuj dhe femra) e morën emrin KH “Vëllaznimi”. Që atëherë e deri më sot, ky ekip ka bërë gara me sukses në Ligën e parë të Kosovës dhe në Ligën e dytë – Kosovare – Maqedone. Organet gjegjëse për zhvillimin e hendbollit femëror në Kosovë në vitin 1960 arritën të organizojnë kampionatin e parë me sistem grumbullimi. Ekipi i “Vëllaznimit” ishte rregullisht në elitën e hendbollit kosovar dhe gjithnjë pretendonte plasman sa më të lartë. Me ekipin e femrave në këtë periudhë punuan disa trajnerë: prof. Ismail Berisha, prof. Tefik Jakupi, Burim Deva etj. Pas titullit të kampionit të fituar në vitin 1981/82, rast shumë të volitshëm kishin hendbollistet e Vëllaznimit edhe në vitin 1987/88, por Kryesia, si duket, për të mos shpenzuar shumë me dy ekipet në Ligë të dytë, pothuajse vendin e parë e lëshoi me qëllim. Këtij ekipi, në këtë kohë i printe Burim Deva (i ndjerë), i cili përveç zejes së trajnerit ka qenë edhe arbitër kualitativ që e ka ndarë drejtësinë në terrenet e hendbollit Kosovar.

ÇMIMET

3000+

Ndeshje

20

Trofe

60

Medalje